Ceremonia e përbashkët e prezantimit të projektit në Tiranë bëri bashkë përfaqësues të VERBUND dhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilët theksuan rëndësinë e projektit për tranzicionin energjetik të Shqipërisë.
“Dita e sotme shënon një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe VERBUND. Tani që janë përmbushur parakushtet e marrëveshjes së zhvillimit dhe është lëshuar Njoftimi për Fillimin e Punimeve, mund të nisë ndërtimi i parkut të parë të erës në vend. Jemi krenarë që kontribuojmë në zgjerimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe që hedhim një hap tjetër të rëndësishëm drejt zbatimit të strategjisë sonë të rritjes. Dëshirojmë të falënderojmë Ministrinë dhe të gjitha autoritetet e tjera të përfshira për bashkëpunimin e tyre konstruktiv. Jemi të përkushtuar të realizojmë një projekt që do të kontribuojë në të ardhmen energjetike të Shqipërisë dhe do të sjellë përfitime afatgjata në infrastrukturë për zonën e projektit,” u shpreh Dietmar Reiner, Drejtor Menaxhues i Verbund Green Power.
“Me parkun eolik të Spillesë, Shqipëria hyn në një fazë të re të zhvillimit të sektorit energjetik, duke e kthyer potencialin e erës në një burim konkret vlere për vendin. Përmbushja e kushteve për nisjen e këtij projekti është dëshmi se vizioni ynë për diversifikimin e burimeve të energjisë po merr formë përmes investimeve strategjike dhe partneriteteve me kompani me përvojë ndërkombëtare, si VERBUND. Përtej 72,6 MW kapacitet të ri të energjisë së rinovueshme, Spille përfaqëson një model zhvillimi që ndërthur sigurinë energjetike me modernizimin e infrastrukturës dhe krijimin e mundësive të reja për ekonominë lokale. Ambicia jonë është që Shqipëria të mos mbështetet vetëm te avantazhet që ka trashëguar në prodhimin e energjisë, por të shfrytëzojë të gjithë potencialin e saj për t’u bërë një aktor gjithnjë e më i rëndësishëm në energjinë e pastër.”, u shpreh Enea Karakaçi, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.